Shqiptari i huaj Fra Flavio Cavallini
- Details
- Published on Saturday, 08 December 2007 12:30
- Written by Administrator
Në provincën e Zotit
Një copë rruge me furgon nga Tirana në Lezhë. Gruaja e veshur me të zeza në stolin ngjitur kujton se po shkojmë në katedralen e Lezhës meqë ipeshkvi mban meshë për festën e Shën Kollit. Është katolike e Shkodrës. Sipas saj, legjenda e Shën Kollit fletpër shenjtin që rrënoi të pasurin dhe pasuroi të varfërin. Ashtu si në besëlidhjen e vjetër ku Abrahami iu bind zërit të Zotit, edhe këtu bëhet fjalë për një provë, provën nëpër të cilën duhet të kalojë njeriu. Gruaja besonte që nëse shtëpitë i lënë dyert hapur natën e Shën Kollit, bën mirë. "Ndodh" që të dashurit e vdekur "të kthehen" atë natë. Po s'bën t'ia rrëfesh priftit këto "dëshira të fshehta". Fakti që prifti u kërkon njerëzve të rrëfehen, gruas me të zeza i duket boll i rëndë. "Kanë për të të gënjyer të gjithë." Kështu i ka thënë ajo priftit të saj të famullisë.
Kisha katedrale e Lezhës, u përurua më 28 tetor 2007. "Tani Lezha është tamam qytet. S'mund të kuptohet një qytet pa një katedrale", thanë disa ditën kur iu vu guri i fundit.
Mesha kish mbaruar aty nga ora 11.00, por kishte fëmijë, shumë fëmijë që tre nga tre, katër nga katër, hynin nga sokrati dhe lulishtja, kapërcenin derën 6 tonëshe, e punuar në Verona, shkonin drejt për nga presbiteri ku në qendër është altari, uleshin në bangot e drurit (me gjithë hapësirën mund të marrin gati 800 vetë), puqnin pëllëmbët në lutje dhe merrnin për nga udha e kryqit ku ndodhet një tryezë me kauçuk të bardhë sipër i prerë në formën e qiririt me një dritëz në majë që imiton flakën: qirinj artificialë, për të mos ndotur me tym dhe blozë katedralen e re akull. Në ballë të tryezës, në cep të murit, shëmbëlltura skulpturale e Shën Nikollës emrin e të cilit mban kisha katedrale. Në këtë vepër arti, ku nuk mundojnë elementët modernë, si për shembull, simbolet sinjalistike të hyrjes dhe daljes, lënda e parë, guri, është vendase, e Lezhës, shumë elementë të tjerë vijnë nga Milano, Bergamo, Verona, Vinçenca, Bari, Bolxano deri nga Guatemala dhe Brazili. Emrat e kontribuesve "fshihen" tek ky mbishkrim në fasadën e katedrales: O zot, kujtohu për ata, të cilët kanë mbështetur dhe për të gjithë sa janë munduar në lartësimin e këtij tempulli për nder e lavdi të emrit tënd. Vetëm ti i njeh emrat e tyre.
"Pse beson tek shenjti Nikollë" pyesim një vajzë. "Shën Nikolla ndoqi Zotin. Nuk mëkatoi kurrë", përgjigjet dhe merr për nga shkolla përballë. Duhet të jetë 17 vjeç.
Na priste Fra Flavio Cavallini, për të cilin kishim ardhur. Emri i tij është një nga ata që ka kontribuar për këtë ditë të shtëpisë ku jo vetëm predikohet. Ngjitur me katedralen është qendra "Shën Nikolla". 110 fëmijë romë mësojnë për t'u integruar me "të bardhët". Mbase kjo punë iu duhet lënë OJQ-ve. Fra Flavios ka shumë që ia njohin veprën, kurse fjalën, kjo do ishte hera e parë dhe për të. Është një ndër ca pak emra misionarësh të huaj që "ndonëse italian në origjinë ka qenë edhe më i dobishëm ndoshta se gjithë shqiptarët e provincës françeskane", do shtonte një laik.
E takuam nga pasditja në kishën e Zonjës Nunciatë, në Kodër Marlekaj të Lezhës, ku është famullitar për nëntë mijë banorë. "Shqipëria njihet më mirë nga Lezha", thotë Fra Flavio. Ka parasysh që atë ky qytet nuk ka kontrastet e forta të metropolit dhe as izolimin e skajshëm të veriut. Po, e rreh erë e fortë, si një burrë i këtyre zonave mund ta rrahë gruan sa t'ia nxijë sytë. Kuvendi i fretërve ku shërben Fra Flavio kthehet herë pas here në urgjencë, në ambulancë, në një lloj rajoni policie ku i dhunuari denoncon me të parën.
Fra Flavio sapo është kthyer nga një rast delikat si ky ku burrat dhe gratë po shkojnë drejt një moskuptimi pa kthim. Na fton në bibliotekën që e quan vendin e shpirtit dhe i trupit njëherësh, "momentin e ngritjes njerëzore". Aty bëmë këtë bisedë, të shtyrë nga valët e kohë pas kohës që ngrihen në shtyp për të quajturin pushtim të kishës katolike shqiptare nga misionarë të huaj, në një kohë që emri i Fra Flavios, brenda këtij konteksti, doli para ca kohësh përballë fratit të paharruar françeskan, Zef Pllumit. Në të vërtetë nga të tjerë mësuam se është pikërisht françeskani 50-vjeçar që shërben në Shqipëri prej vitit 1993 ai që ka përkthyer në italisht vëllimin e parë të "Rrno vetëm për me tregu" të At Zef Pllumit, këtij nxënësi të Fishtës. Prapë Fishta. Nga dritarja e bibliotekës, po të hiqet një linjë diagonale, duket Trashani, fshati i lindjes së Fishtës. Kapërcente Trashanin dhe të dielave mbante meshë pikërisht këtu, në kishën e Zonjës Nunciatë. Në vitet 30, në një nga dhomat e sipërme, ai i dha dorën e fundit këngës së tetë dhe të nëntë të "Lahutës së Malcis". Për nder të tij Fra Flavio ka ngritur një memorial. Nën portretin e klerikut dhe patriotit janë shënuar vargjet nga "Lahuta" kushtuar Lezhës: Behma këtu/ N'këtë lissus tvjet/ Ku larg zhurmet e poteret/ Dola edhe un/ N'këtë buzë pranveret".
Françeskani na shoqëron në ambjentet e kishës së shek. XII që në kohën e regjimit ka shërbyer si spital. E gjitha është ngritur në këmbë sikur të mos ish shkatërruar kurrë.
Nga aty rroket me sy Dioqeza e Lezhës të cilës Fra Flavio, bashkë me dy arkeologë shqiptarë i ka kushtuar veprën "Monumente historike të kultit të krishterë". Poshtë shtrihet qyteti.
Më 25 prill 1993, ditën kur Papa Gjon Pali II zbret në Rinas ju vini në Shqipëri. Ishte ardhje e përgatitur?
Kisha bërë kërkesë për të ardhur si misionar në Shqipëri. Arsyeja? Sepse më ka turbulluar ajo ardhje e shqiptarëve mbi anije në Bari. Deri atëherë nuk kisha menduar ndonjëherë të dilja me mision jashtë Italisë. Kam kaluar një kohë në Izrael, në Jordani për studime biblike. Ai eksod që e kisha aq afër dhe që më dukej aq misterioz më zgjoi interes. Pak nga pak mora vendimin, ndoshta zoti më kërkon të shërbejë këtu.
Atëkohë po gjeja këtu dhe 12 fretër të mbijetuar nga komunizmi. Për mua ka qenë ardhje në një tokë të shenjtë. Për Shqipërinë nuk dija asgjë më shumë nga ajo çfarë kam mësuar në gjimnaz, gjithsej një faqe ku thuhej që është një vend i lidhur me Kinën. E kam pranuar Shqipërinë para se të njoh situatën. Kam jetuar sidomos pranë Monsinjor Robert Ashtës që ka qenë i shuguruari i ipeshkvit për këtë rast. Kam shërbyer për 2-3 vjet në Dukagjin.
Dukagjini që ju e quani shkolla juaj e albanologjisë.
Po, po është dega ime e albanologjisë, sepse aty kam njohur mentalitetin, zakonet gjë që gjithmonë më ka pëlqyer të njoh, sidomos i nxitur nga studimet biblike në Lindjen e Mesme. Kështu që nuk jam çuditur nga ajo që po gjeja në Shqipëri. Për shembull puna e Kanunit nuk më ka çuditur hiç mua, sepse e kisha ndeshur dhe në vendet që kanë të njëjtën antropologji gjaku palestinezë, arabë, diçka e përhapur në vendet lindore. Kam kuptuar se këtu në Shqipëri faktikisht jemi në Lindje. Shihet qartë që në këtë vend kanë sunduar osmanët dhe në vendet e pushtuara nga ajo perandori gjen njësi kulturore që krijojnë ambjente të përngjashme. Kam jetuar në Jeruzalem në lagje myslimane shumë kohë. Kështu që kam qenë i përgatitur për të jetuar në një vend ku ka jo vetëm të krishterë. Nga ditën e parë që kam ardhur në Shqipëri dhe pikërisht në luginën e Kirit që është një natyrë e shkëlqyer, thash: ky është vendi im.
Si e gjetët ndërgjegjen besimtare të shqiptarëve, të gjymtuar apo ashtu siç ju mendonit se duhet të jetë ndërgjegja e një besimtari?
Kjo është shumë komplekse dhe s'mund ta kapërcej pyetjen me një fjalë apo vetëm me një batutë. Situatat janë nga më të ndryshmet. Në radhë të parë unë respektoj situatën e çdo njeriu sepse reflekton gradën e kulturës që ka dhe një gradë e ulët kulture nuk mund të përçmohet dhe të refuzohet. Njeriu pranon hirin e Zotit në masën që ka mundësi për të pranuar. E unë besoj se edhe disa formave që duken primitive u duhet vlerësuar në radhë të parë sinqeriteti i zemrës dhe jo aspekti më pak apo më shumë i kulturuar i njeriut. Edhe në Dukagjin, edhe në Lezhë kam gjetur forma shumë natyrore, instinktive, primitive, afektive që shpreh feja e njeriut, por që e vlerësoj dhe respektoj. Ka një bazë që është shumë e sinqertë, ndërsa pjesa tjetër janë për formalitet, nuk dinë ç'është feja, ç'është tradita. Dinë vetëm që janë katolikë dhe që nuk janë pagëzuar. Kjo është absurde. Këtu bëjnë pjesë ata shqiptarë të brezit tim që kanë qenë edukuar në kohën e komunizmit. Shihet që ka një mungesë themelore për të kuptuar nevojën për fenë dhe nuk kuptojnë çka duhet.
Si mendoni se ka ndikuar vala e lëvizjeve demogafike tek kjo pjesë për të cilën ju thoni se ka një bazë të mirë të lidhur me fenë. Jo rrallë qëllon të dëgjojmë: u shkul mali dhe sulmoi qytetin.
Në Shkodër thonë se ka katër fe (qesh). Më parë kanë qenë tre, tani janë katër: myslimanë, katolikë, ortodoksë dhe dukagjinas. Ky është një takim i vështirë, për njeriun që zbret prej maleve dhe jeton në një kontekst në të cilin disa gjëra janë të kuptueshme, zakonet arkaike, jeta në izolim kulturor, ambjenti baritor, kurse qytetarët kanë zhvilluar modele të frymëzuar nga civilizimi evropian, perëndimor etj. Nuk është i lehë ky takim, ka nevojë për një integrim gradual të atyre që u imponojnë një sistem më të egër atyre që janë qytetarë të vjetër. Këtu i referohem Shkodrës, edhe pse ka shumë qytetarë të vjetër që kanë qenë të parët që kanë ikur jashtë Shqipërisë. Ky integrim nuk mund të bëhet vetëm me një brez.
E në këtë radhë edhe feja por edhe shoqëria civile dhe shteti, kanë një detyrë për të ndërmarrë përmjet edukimit që fillon që nga shkolla, shëndetësia, nga kushtet e jetesës për të krijuar një mentalitet të ri. Po fillohet me fëmijët e vegjël.
Dhe që janë ata që janë po pësojnë problemet e rënda që ka veriu si gjakmarrja, papunësia, shkollimi. Tek katedralja na thanë që qendra e Shën Nikollës aktualisht merret me integrimin e 110 fëmijëve romë.
Kontributi ka kohë, nuk ka filluar sot. Urdhëri françeskan apo jezuit në Shqipëri ka dhënë një kontribut të tillë që nga shekulli XIX, me misionet që kanë kaluar në çdo fshat duke promovuar një kulturë pajtimi të gjaqeve. Ka pasur fretër që pas komunizmit kanë pajtuar vetëm me diplomaci më shumë se 100 gjaqe dhe jo me pagesë, siç bëhen shumë edhe sot. E bëri këtë ndër katolikë dhe myslimanë vetëm në emër të Krishtit, sepse vetë doktrina e krishterë është bazuar mbi pajtimin. Ky është shërbimi i parë për të bërë në Shqipëri, dhe jo shërbim ambulance. Pra për të promovuar një kulturë ungjillore mbi vlerat më të mira që prodhon njerëzimi.
Për çfarë mendoni se kanë nevojë në radhë të parë ata njerëz për të cilët ju mbani meshë çdo të diel, padre. Gëzoheni kur kisha mbushet plot, po kur dalin nga ajo derë?
Shumë herë njeriu vjen i lodhur dhe ka nevojë për tu mbushur me shpresë, për të parë situatën me sy të tjerë që janë sytë e zotit, që janë sy kritikë, por që për këtë arsye themelon një shpresë konkrete, një shpresë për një rinovim duke filluar prej vetvetes dhe jo duke u ankuar çfarë bën shteti për ne, çfarë bën ti për mua. Çdo njeri është protagonist për veten, për familjen, për botën ku jeton, sepse ndryshimi i botës fillon me ndryshimin personal i njeriut. Ky është hapi i parë që bën një i krishterë i vërtetë, një krishtërim i vërtetë.
Çfarë të gëzon dhe çfarë të trishton tek shqiptarët, konkretisht në Lezhë.
Një gjë e gëzueshme është kur takoj njerëz që kam njohur në kohët e para. Fëmijë që tani janë rritur, kanë familje, kanë fëmijë. Sepse 15 janë jo pak. Janë fëmijë që kanë qenë 9 vjeç kur i kam njohur, tani kanë një punë. Jo të gjithë janë mirë. Disa janë në emigracion. Shoh se kanë fituar shumë nga jeta.
Më vjen keq për ata që janë pikëlluar nga jeta dhe nuk mund t'i ndihmosh. Ka situata ekstreme të varfërisë që çon dhe në gabime ekstreme, familje që janë shkatërruar.
Varfëria materiale ka shkaktuar varfëri kulturore?
Janë të dyja së bashku. Disa njerëz që janë kufizuar në imagjinatën që kanë dhe kanë një lloj pasiviteti, janë gratë të mbetura vetëm me fëmijë, familjet e ndara që kanë burrat nëpër botë. Vlera e familjes në Shqipëri është akoma në plan të parë dhe kur turbullohet ky mjedis për shkak të varfërisë materiale, të dobësisë së njerëzve, apo prej emigracionit, atëherë bëhen vërtet shumë.
Si e gjetët gjendjen e kishës kur erdhët në Shqipëri?
Në fillim ka qenë një punë e vështirë për mungesë totale të strukturave. Tjetër është të predikosh në një mjedis pa çati, tek varrezat apo nën një pemë, nën shi, në baltë. Tani nga ana strukturore jemi më mirë. Është e vështirë të ndërtosh katër muret, por për formimin e njerëzve duhet një punë e vazhdueshme. Në radhë të parë kemi një brez të ri klerikësh që dalëngadalë do të zëvendësojnë të vjetrit. Kam menduar që ne që kemi ardhur prej jashtë jemi si një urë ndërmjet dy brezave.
Ndërkohë ju kanë parë jo fortë të pranueshëm. Rolin e misionarëve të huaj në Shqipëri nuk e kanë parë me sy të mirë. Pse thoni ju.
Prej kujt? Atëherë, unë kuptoj disa gjëra sepse nuk jam i verbër. Njeriu i formuar është i prirë të kuptojë më mirë kulturën e një vendi. Ai që ankohet për misionarët e huaj nuk është populli, janë prej klerit që besoj se disa herë janë nxitur prej nacionalizmit që është një punë tjetër.
Unë kam ardhur këtu si katolik jo si italian. Një nga gjërat që kam dashur të marrë prej Shqipërisë ka qenë të fitoj pasaportën shqiptare, për të jetuar këtu. E kam marrë në 1996. Unë jetoj dhe dëshiroj të jetoj këtu në çdo aspekt. Më duket se kjo është mënyrë korrekte për me qenë këtu. E di se shumë misionarë kanë pasur vështirësi.
Populli e kupton kur prifti është prift dhe nuk i intereson në çfarë flamuri është. Kjo u intereson atyre që fenë e lidhin me punë shoqërore, politike, me punë nacionalizmi, por kjo nuk na takon si katolikë.
Brenda këtij konteksti emri juaj është shfaqur në shtyp nëpërmjet disa letrave të At Zef Pllumit, të viteve 98-99. Si është e vërteta?
Në këtë kohë kam qenë provinçal dhe ato letra m'i ka nisur si epror. Pater Zefi, kush e ka njohur dhe kush jo, ka qenë një figurë shumë komplekse dhe si të gjithë ata që kanë kaluar një jetë të turbulluar dhe në furtunë, e veçanërisht ai që ka qenë një shpirt i lirë njeriu, e ka pasur të vështirë për të pranuar rregullat normale të jetës rregulltare. Jo se ka jetuar keq, por që ka jetuar jashtë rreshtave disa hera (për mirë, jo për keq, jam i bindur). Pater Zefi është i madh, por jo të gjitha veprat që ka bërë janë të shenjta, janë të pranueshme, ka pasur kufizimin e vetë dhe kjo nuk e zvogëlon njeriun.
Si ishte marrdhënia juaj pas vitit '99?
Marrëdhënia jonë, jo vetëm në këtë rast, ka qenë si njeriu që ka respektuar shumë njeriun. Ai më ka respektuar edhe si epror, edhe kur kemi bërë debat për disa gjëra që nuk ishim dakord fare, kemi biseduar, kemi bërtiur. Kush e ka njohur Pater Zefin e di se ka qenë i nderuar ai që ka debatuar me të. Ai s'kishte për të thënë asnjë fjalë nëse nuk do të merrte në konsideratë atë me cilin po debatonte. Nuk është hera e parë që e kemi debatuar ndër ne fretërit atë që thuhet në letra, në debatet ndër ansambletë tona dhe mbaj mend të ketë thënë: Ah padre, janë gomarë me kryq këtu. Ai konsideron të denjë për një debat njeriun që ka pasur një vlerë në sytë e tij. Me mua ka debatuar jo për të gjitha. E njoha personalisht pater Zefin dhe e di që më ka vlerësuar duke më krijuar hapësirë si i vetmi françeskan i huaj që shkruan tek "Hylli i Dritës". E thashë gjithë këtë për të sqaruar se e vërteta mes nesh nuk ka qenë ajo e letrave të botuara. Për ata që lexojnë gazetat dihet se u mëshohet shumë hapjeve dhe mbylljeve të dosjeve mbi çështje të komunizmit. Dhe ja tani hapet një "dosje" në më pak se një muaj pas vdekjes së pater Zefit. Më duket që nuk kanë pasur respekt jo për mua, po për pater Zefin. Nëse do duhej bërë polemikë mbi këtë temë le të hapej kur ishte gjallë. Do kishte pasur boll forcë, autoritet për të më kundërshtuar mua si epror apo si diçka tjetër.
Në faqet e "Shekullit" keni botuar për arkeologjinë. Çfarë ju lidh me këtë fushë?
Jam specializuar siç ju thashë në Jeruzalem për teologji biblike. Shumë profesorë të mitë kanë qenë arkeologë, kemi vizituar dhe bërë gërmime në disa qytete në Jordani. Me të mbaruar studimet, mendova ta mbyll këtë kapitull në sirtar. Me ardhjen në Shqipëri, në seminarin e Shkodrës më ka takuar të jap mësim pjesën që është arkeologji biblike si hyrje në bibël dhe kam kontaktuar arkeologun shkodran Gëzim Hoxha. Me ardhjen 3 vjet përpara në Lezhë, zbulova se ishte duke gërmuar tek Memoriali i Skënderbeut. Më ftoi duke ditur pasionin tim për arkeologjinë. Unë nuk jam arkeolog, kuptoj arkeologjinë dhe historinë.
Padre për ju thonë se kërkoni në veprat e françeskanëve të mëdhenj shqiptarë. Me çfarë jeni duke u marrë?
Aktualisht jam duke bërë një seri mbi epigrafinë françeskane në Shqipni, jam duke mbledhur gjithë epigrafinë që është shpërndarë përpara se të shkatërrohen. Janë materiale interesante që tregojnë disa çështje të veçanta. Për shembull mbi dy kumbona kam gjetur një shkrim që flet për vitin e parë të lirisë ose vitin e dyë të lirisë. Më ka emocionuar shumë. Sepse populli katolik, sidomos ai i veriut e ka lidhur lirinë me kumbonat, sepse përpara, ju e dini në kohën e osmanëve kumbona nuk ishte fort e lejuar. Ka qenë si shenjë e lirisë, si një flamur kjo kumbonë që ka tingëlluar dhe që ka treguar se jemi të lirë plotësisht edhe nga ana fetare.
Projekte të mëdha nuk kam, sepse puna ime e parë është që të punoj si famullitar, fusha që dua më tepër. Pastaj kam mësimin në seminar sepse është shumë i nevojshëm për formimin e brezave të mëvonshëm, jo vetëm nga ana fetare, por dhe kulturore. Puna e tretë është ky bashkëpunimi me arkeologët me Gëzim Hoxha dhe Luan Përzhita. Kemi filluar një survejim sistematik të territorit për të bërë një katalogim për të rrënojat e kishave kudo ku janë.
Cilën ndjeni më shpirtërore nga figurat e françeskanëve shqiptarë të traditës?
Gjithë respekti im i jashtëzakontë shkon për pater Donat Kurtin, e kam lexuar dhe jam takuar me ata që e kanë njohur personalisht. Figura e tij më krijon emocione. Jam biblist dhe them se ai ka përkthyer gjithë Besëlidhjen e Re, në mënyrë të tillë që merr një vlerë të madhe jo aq nga ana fetare. Pa këtë vepër kultura shqiptare nuk do të ishte e plotë. Unë kam pasur në dorë, në bibliotekën e Shkodrës ku kemi mbledhur të gjitha materialet për Besëlidhjen e Re, fletët e shkruara me dorë 2-3 herë. Ka qenë një punë vërtet e madhe. Ai ka qenë një gjuhëtar i rangut të parë. Do kisha dashur të botohej kjo vepër si model përkthimi, si një ndihmë për përkthimet e biblës sot. Kjo kokë e ka ba në errësirën e plotë të ateizmit duke menduar, dhe këtu i referohem asaj çka ka shkruar, për një kohë kur feja do të përpahet prapë, pra ai i ka qenë i sigurtë se komunizmi ishte diçka që do kalonte dhe që kjo errësirë nuk është fjala e fundit e historisë. At Donat Kurti nuk është në listën e shenjtëve, por mua më mjafton kjo vepër që ka ba. Kjo është figura që më frymëzon.
Dimë se edhe babai juaj pati një lidhje me vendin tonë?
Që kur kam ardhur në Shqipëri ai më ka vizituar së bashku më nënën thuajse çdo vit. Ka qenë artist, ka punuar vitrazhet, xhamat me ngjyra të kishave. E ka bërë këtë në një kishë në Dukagjin, në Gjuhadol në Shkodër. Vitrazhet e kishës tonë i ka bërë ai.
Keni menduar ta gdhini jetën këtu?
Për herë të fundit baba më ka vizituar në vitin 2000 me rastin e përurimit të kishës së restauruar të Rubikut, në të cilën ka realizuar dritaren e fasadës. Dhe një ditë përpara inagurimit, më 7 tetor ka vdek papritur, ashtu për një moment. Kjo më ka çuditur. Kur kam pasur momente të vështira kam thënë, më mirë të shkoj. Por një shkak për të cilin kam thënë jo, dua të qëndroj këtu, ka qenë ky. Babai im vdiq këtu. Ndoshta edhe unë dua të më ndodh njëlloj. Ajo që kam marrë nuk thjesht një pasaportë shqiptare.
Si është shqiptari në sytë tuaj.
Shqiptarët në Itali i gjen në kronikën e zezë. Unë njoh një mori që janë integruar shkëlqyeshëm, por kjo pjesë nuk përbën lajm. Them se shqiptarët janë shumë biblikë ose janë bardh ose janë zi. Gri nuk janë, në kuptimin që kur janë keq janë keq shumë, kur janë mirë janë mirë shumë. Kjo është diçka që e karakterizon qenien shqiptare. Janë mes kontrastesh, ngjyra të mesme nuk ka. (qesh.)
Ps. Kjo intervistë u realizua në gjuhën shqipe
Marre nga Gazeta Shekulli