K
- Details
- Published on Sunday, 06 January 2008 13:30
- Written by lypen
Drejtuesi i Katedrës së Albanologjisë pranë Universitetit të Kalabrisë, prof. Francesco Altimari, organizator i aktivitetit, tregon mbi këtë prurje të re dhe mbi iniciativën e katedrës Albanologjike, për të risjellë në vëmendjen e lexuesit arbëresh, shqiptar dhe Italian, gjithë kolanën e veprave të klasikëve të letërsisë arbëreshe. Mes të cilëve edhe Zef Serembe. Altimari zbulon se së shpejti do të dalë në dritë dhe një botim kritik i veprës së Serembes, ku do të përfshihen edhe disa poezi në italisht dhe disa letra të poetit të gjetura së fundi e të papublikuara më parë. Gjithçka sipas Altimarit, për të sjellë një Serembe sa më autentik. Poeti lindi në vitin 1844 në Strigari dhe vdiq në San Paolo në vitin 1901. Gjatë jetës së tij shkroi "Poesie italiane e canti originali tradotti dall`àlbanese" në vitin 1883, "Sonetti vari" (Sonete të ndryshme) Napoli, 1891 dhe "Vjershë", një përmbledhje prej 39 poemash në gjuhën arbëreshe, të botuara në Milano në vitin 1926 nga nipi i tij Cosmo (Kozmo) Serembe. Krijimtaria origjinale e poetit, e cila daton në kohë të ndryshme të jetës së tij, përfshihet në vëllimin "Canti"Në botimin kritik, Belmonte ndalet tek këto të fundit, pikërisht në "ndërhyrjet", që nipi i poetit i ka bërë krijimtarisë origjinale të Serembes.
Vepra e poetit arbëresh Zef Serembe do t'ju mbledhë nesër (sot) në një sesion të veçantë, ç'mund të na thoni rreth kësaj veprimtarie?
Veprimtaria organizohet nga Komuna e Strigarit, vendlindja e Serembes, dhe lidhet me prezantimin e një versioni poetik italisht modern të veprës së Zef Serembes. Studiuesi që u mor me këtë përkthim, Vinçenc Belmonte, është një ndër njohësit më të mirë të letërsisë së Rilindjes dhe e kemi bashkëpunëtor të ngushtë në Katedrën Albanologjike të Universitetit të Kozencës në një seri projektesh të rëndësishme për vlerësimin e gjuhës dhe të letërsisë arbëreshe. Kohët e fundit brenda serisë botuese "Klasikët e letërsisë arbëreshe", që kam nderin ta drejtoj pranë shtëpisë së mirënjohur italiane "Rubbettino", ka dalë edicioni filologjik, deri sot më i përsosur dhe më i afërt origjinalit të Jul Varibobës, "Gjella e Shën Mërisë s'Virgjër", nën kujdesin e Belmontes, që e pasuroi edhe veprën e Varibobës me një përkthim italian shumë poetik dhe të lartë. Edhe në kuadrin e botimit të veprës komplete të De Radës – OPERA OMNIA- për të cilën jam përgjegjës shkencor, prej së cilës dolën deri sot nga shtypi 6 nga 12 vëllimet e parashikuara, prof. Belmonte përgatiti edicionin filologjik modern të poemës "Skanderbeku i pafanë" në 5 libra, duke e pasuruar këtë vepër me një përkthim italian shumë të mirë.
Si na vijnë këto "Këngë" të Serembes?
Përveç vlerës filologjike, këto vepra të Vinçenc Belmontes, mes të cilave edhe vepra "CANTI" (Këngë) të Zef Serembes që do të prezantohet nesër (sot) në Strigar, kanë një meritë të veçantë. Për herë të parë këto thesare të letërsisë sonë kanë përballë jo një përkthim sipas origjinalit, por një vepër artistike në një gjuhë tjetër (italishtja). Dhe kjo meritë lidhet me kompetencën e thellë që Belmonte ka qoftë të traditës gjuhësore dhe letrare arbëreshe, qoftë të letërsive klasike dhe italiane, qoftë të strukturës së gjuhës poetike italiane. Ky kombinim kompetencash i lejon Vinçenc Belmontes të na prezantojë disa nga figurat qëndrore të letërsisë sonë të Rilindjes me një shije poetike të veçantë, edhe pse ai vet është një poet i shquar, element që nuk duhet nënvleftësuar në këtë rast.
Ç'duhet të kuptojmë me "një vepër artistike në një gjuhë tjetër"?
Më lejoni të hap shkurtimisht këtu një parentezë për të vënë në dukje se kur një poet përkthen një poet tjetër, kjo nuk ndodh rastësisht, sepse ai kërkon ato tekste dhe ata poetë që i ndjen mëafër ndjeshmërisë së vet. Serembja që na del në këtë vepër të re të Belmontes nuk është një Serembe "i italianizuar", sepse prekim këtu, edhe në një gjuhë tjetër, të huaj, atë që mund ta quajmë "shpirtin serembian", "ritmin e frymës poetike të Serembes". Dhe kjo sipas meje është një shenjë pozitive që na dëfton se përkthyesi nuk e "tradhtoi" asesi modelin, origjinalin poetik. Përkundrazi. Kujtoj këtu atë që thoshte një mendimtar dhe një filozof i shquar francez i shekullit të kaluar, Walter Benjamin, lidhur me praktikën e përkthimeve letrare. Benjamin nënvizoi me të drejtë se në këtë rast zëri i origjinalit nuk duhet të mposhtet ose të mbytet, por duhet të ndihet nën tekstin e rikodifikuar, që megjithëse në një gjuhë tjetër, duhet të mbajë një farë tejdukshmërie ritmike. Ai e ka fjalën për atë që ai quan "jehonën e origjinalit". Ja, jehona e origjinalit serembjan, jeton në përkthimin e Vinçenc Belmontes.
Mund të presim "zbulime" të reja nga krijimtaria, apo nga korpusi letrar i Serembes?
Për Seremben kemi në plan si Universitet të ndërmarrim së shpejti botimin kritik të gjithë veprës poetike në gjuhën arbëreshe. Në të kaluarën kemi pasur disa botime të tjera për veprën serembjane dhe dy me një përqasje më filologjike, të përgatitur përkatësisht nga Giuseppe Gradilone, shefi i katedrës albanologjike të Universitetit të Romës, dhe nga Vinçenco Belmonte, i cili është ndaluar edhe në disa botime mbi njërin nga aspektet më të vështira të kësaj krijimtarie letrare, lidhur me "ndërhyrjet" letrare dhe gjuhësore që ajo pësoi nga i nipi i poetit, Kozmo Serembe. Problemi parësor është të përcaktosh pra "Seremben autentik"! Në këtë rrugë duhen mbledhur, bashkë me veprat e shkruara arbërisht, edhe ato të shkruara italisht nga vetë autori. Dhe në këtë fushë kemi diçka të re, sepse kemi gjetur kohët e fundit disa poezi italisht, si edhe disa letra të pabotuara, që do të hyjnë në kompletin e veprës së Serembes, që do të pasurojë serinë e klasikëve tanë. Një ndër propozimet që do të prezantoj nesër në Strigar është tamam mbi botimin e kompletit serembian, të plotësuar me cd-romin me konkordancën elektronike të leksikut poetik të autorit. Do të isha shumë i kënaqur nëse ky propozim i katedrës sonë universitare do të gjente pranimin e Vinçenc Belmontes si bashkautor dhe mbështetjen e Komunës së Strigarit si edhe sponsorizimin e Fondacionit "De Rada", që e ka selinë në Strigar dhe që së shpejti do të fillojë veprimtarinë e tij shkencore, bashkë me një Fondacion tjetër që sapo krijuam në Universitetin tonë, që është Fondacioni "Françesko Solano".
Ju thatë se po punoni gjerësisht për botimin e klasikëve arbëreshë, ç'ju ka shtyrë të ndërmerrni këtë nismë e t'iu riktheheni edhe një herë këtyre autorëve?
Botimi i autorëve të traditës sonë letrare në "klasikët" ka edhe qëllimin që t'i afrojë këta autorë me gjeneratat e reja dhe publikun më të gjerë, arbëresh, shqiptar dhe italian, sepse këto vlera duhet të njihen në autenticitet dhe në gjuhën origjinale, pa ato shtrembërime – "shqipërime" shumë herë me një eufemizëm i kanë quajtur në Shqipëri - që për fat të keq pësuan në disa botime të atyshme, por edhe të këtushme (por këtu ndodhi për mungesë të disa studiuesve vendas, të një kompetence filologjike të përshtatshme). Në këtë mënyrë, me një tekst origjinal që i respekton poetët dhe me një përkthim letrar-si është ai i Serembes që na ofrohet me këtë botim të Belmontes – që i afron poetët tanë me një traditë tjetër të lavdishme letrare, siç është ajo italiane, klasikët tanë do të propozohen si paradigma letrare, që janë të rëndësishme, jo vetëm për botën arbëreshe dhe për botën shqiptare, por edhe për atë italiane dhe për Europën, siç ndodhi gjatë Rilindjes. Dhe mos të harrojmë këtu, se në shek.XIX, në sajë të kësaj intuite të shkrimtarëve tanë të mëdhenj, me në krye Jeronim De Radën, që përdorën sistematikisht metodën e vetëpërkthimit letrar italisht, veprat letrare të Rilindjes arbëreshe njohën një përhapje aq të madhe dhe një publik shumë më të gjerë se sa ishte rrethi i ngushtë i intelektualëve shqipfolës të kohës. Edhe në sajë të kësaj intuite të rëndësishme – kemi këtu propozimin e rrallë të një letërsie të një komuniteti të vogël të shprehur në forme dygjuhëshe! – çështja shqiptare u përhap dhe u bë më e njohur në qarqet intelektuale dhe politike evropiane. Dhe kjo ka qenë vendimtare për afirmimin e idesë së pavarësisë së Shqipërisë. Sot, jemi natyrisht në një gjendje historike dhe letrare të ndryshme; jetojmë në kontekstin e ri evropian ku letërsia jonë – arbëreshe dhe shqiptare -me mesazhet e forta dhe autentike që ajo transmeton, meriton të njihet sa më mirë brenda dhe jashtë botës shqiptare dhe nga një auditor lexuesish, jo vetëm shqipfoles dhe arbërishtfolës. Prandaj kërkohen forca të reja intelektualësh, të përgatitur nga ana filologjike, nga ana gjuhësore dhe nga ana letrare, që ta bëjnë atë sa më njohur, edhe përmes përkthimeve. Kjo punë që u krye pjesërisht edhe në të kaluarën – le të kujtojmë këtu disa përkthime letrare mjeshtërore të Ernest Koliqit, të Françesko Solanos, të Antonino Guxetës – por edhe disa përkthime të reja të Elio Mirakos dhe të Vinçenco Belmontes, mbetet një ndër prioritetet kryesore të angazhimit të ardhshëm të katedrave tona albanologjike në Itali, si ura tradicionale ndërkulturore midis botës arbëreshe, botës italiane dhe asaj shqiptare.
Marre nga Gazeta Shekulli