 Tashmë ai ka një jetë tërësisht aktive. Fama dhe çmimi i fituar para një viti në edicionin e parë të Big Brother-it, i ka ndryshuar jetën Arbër Çepanit. Ka udhëtuar në çdo cep të Shqipërisë së bashku me grupin e të rinjve vullnetarë duke parë dhe njohur njerëz. Eksperiencën në Big Brother dhe jetën pas tij i ka hedhur në një libër të vetin duke treguar personazhe dhe histori.
Por Arbëri pohon së është gjithmonë në lëvizje. Edhe kur nuk ka punë, ai e gjen një gjë me çfarë ta angazhojë veten. Është i bindur se ndryshimi fillon nga çdo njëri prej nesh. Ndryshe nga disa banorë të BB1 dhe BB2, ai, me gjithë ofertat që ka pasur nga krahë të ndryshëm politikë, për të kandiduar për deputet, nuk i ka pranuar ato. Thotë se nuk ishte momenti për t'u përfshirë në politikë. Në një intervistë për Sh2-shin, ai flet për veten, jetën e fushatës sensibilizuese dhe për historinë e dashurisë me vajzën e shumëpërfolur italiane, Maddalena.
Arber, pas daljes nga shtëpia e Big Brother-it keni marrë një "tur" nëpër Shqipëri për të shpenzuar lekët që fituat, çfarë ju ka bërë përshtypje në këto udhëtime?
Ajo që të bën më shumë përshtypje, janë kapacitetet natyrore dhe njerëzore që ka Shqipëria për t'u zhvilluar. Shikon vende më bukuri të jashtëzakonshme arkeologjike dhe historike. Kjo shpeshherë duhet të çojë në pesimizëm, po nga ana tjetër të mban dhe në optimizëm. Sepse në një moment thua: tmerr, por shpreson se mund të bëhet më mirë nesër. Kam parë dhe takuar banorë të fshatrave të thella që nga larg na janë dukur si shpellarë, por që kur i takon nga afër janë njerëz shumë mikpritës dhe të dashur. Andej janë edhe më të çlirët se sa në Metropol.
Mendon se i ka ardhur fundi fushatës tuaj në këtë kohë, kanë shteruar energjitë, projektet, idetë?
Deri më tani na ka ecur shumë mirë. Dua të citoj një shprehje të Çurçillit që thotë: "Mendo globalisht dhe vepro lokalisht". Kështu është edhe kjo puna. Kur fillon diçka, mendon që ato të jenë sa më perfektë, sa më të organizuara. Pastaj kur fillon puna gjen krejt gjera të ndryshme, që nuk i kishe menduar, apo nga ato që kanë dalë më mirë nga ç'i kishe menduar. Është krijuar një strukturë dhe një lloj modeli brenda nesh. Është krijuar një grup i konsoliduar vullnetarësh. Kjo pasi lloji i kësaj fushate nuk është se kërkon të bësh gjëra të jashtëzakonshme, të ndryshosh Shqipërinë etj. Me këtë sipërmarrje, në qoftë se ndryshon gjithsecili nga ne, mund të ndryshojë edhe vetë bota. Edhe kur nuk hedh lëkurën e bananes në tokë, është një ndryshim.
Duke e parë veten sot mes projekteve dhe punëve, e kishe menduar që një vit e gjysmë më parë do ishe këtu ku je?
Programe si Big Brotheri, që të japin fuqi mediatike, që do të thotë nga një personazh i panjohur, bëhesh një personazh publik dhe kjo është një lloj trampoline. Nuk është se kjo gjë të ndryshon jetën, nga një njeri shndërrohesh në një tjetër. Thjesht një program kaq i njohur televiziv të bën që të hapen shume dyer, dhe duhet të dish t'i shfrytëzosh këto mundësi që të hapen. Je një person që njihesh dhe nuk e fillon nga zero. Po jo, është vetëm mundësia. Në qoftë se ti nuk ke një begraund nga pas dhe nuk ke çfarë të ofrosh, atëherë është shumë e thjesht, se ashtu siç e ke marrë atë famë, ashtu edhe do përfundojë.
Si i ke marrëdhëniet me ish-banorët e shtëpisë së BB1?
Marrëdhënie të mira. Duke i konsideruar disa shumë të mirë, disa të mira dhe disa më pak të mira. Po përgjithësisht janë marrëdhënie të fqinjësisë së mirë kur i thonë. Një pjesë e kam shoqëri shumë të mirë dhe takohemi shpesh. Ideja është se sado ne mund të kemi mërira apo mbetje hatëri nga ajo lojë, po gjithsesi ishte një lojë dhe një eksperiencë që bashkëjetuam dhe kur gjithçka përfundon, dhe për më tepër kur kanë kaluar pak kohë, kanë rënë "inatet", kujton gjithçka me një lloj nostalgjie pozitive për miqësinë që është krijuar aty brenda.
Gjatë kohës së qëndrimit në shtëpi, ju është përmendur vazhdimisht e dashura juaj italiane Maddalena. Vazhdon ende kjo lidhje?
Po, patjetër që vazhdon lidhja me Maddalenën, megjithëse u përfol shumë. Edhe pse jemi larg, po kur nuk kam kohë unë, vjen ajo në Tiranë dhe kur nuk ka kohë ajo, shkoj unë atje. Mungesat e takimeve mundohemi t'i kompensojmë sa andej-këndej. Është e vështirë, po çdo gjë mund të kalohet.
Keni menduar për ndonjë martesë të mundshme?
Për martesë jo. Është ende shumë herët për mua. Jam i ri dhe kam shumë gjëra për të bërë. Në të ardhmen pse jo. Me Maddalenën, ose pa Maddalenën është normale që jeta familjare duhet, po jo në këto momente.
Për momentin nuk kam kohë për t'u martuar se do të ishte një impenjim shumë i madh pastaj. Kjo bën pjesë në planet afatgjate, as afatmesme dhe afatshkurtra.
*****
"Lidhjet që lindin në një realiti shou, konsiderohen shpesh si një strategji që bëhet nga banorët për të arritur simpatinë e publikut"
"Bjordi dhe Adela? Dy modele krejt të ndryshëm, dy mentalitete që ndeshen"
Arbër, e keni ndjekur edicionin e radhës të Big Brother-it?
E kam ndjekur. Pak për faktin se më rikujtohej jeta ime aty, dhe si çdo shqiptar dhe unë isha kureshtar se çfarë ndodhte aty brenda.
Disa nga banorët kanë pranuar oferta te rrufeshme politike në lista kandidatë-deputetësh, po ju...?
Propozime kam pasur nga shumë palë, majtas, djathtas, qendër. Por politikën nuk e shoh si qëllim ku duhet arritur. Politikën e njoh si një mjet të rëndësishëm më shumë për të arritur një kontribut më të madh. Në këtë rast nuk e shikoja të frytshme që të kandidoja në një lloj partie. Unë i uroj shumë suksese banorëve të Big Brother-it që janë të kandiduar. Shpresojë që ata të jenë një alternativë më shumë për nesër.
Ashtu si edhe vitin e kaluar, në këtë Big Brother, çifti më i përfolur ishte Bjordi dhe Adela, ju si e keni parë këtë lidhje nga jashtë?
Janë një çift shumë interesant se janë dy modele krejtësisht të ndryshme që janë të lidhur bashkë. Është modeli i Bjordit, i djalit të ardhur nga jashtë. Dhe Adela, një vajzë, e ardhur nga një qytet provincial dhe ndoshta i mbyllur nga shumë koncepte, dhe janë dy mentalitete që ndeshen.
Është një çift shumë interesant, kjo është dhe një lloj pasqyre e shoqërisë shqiptare, një lloj kontradikte midis mentalitetit të vjetër dhe atij të ri. Unë kam pasur fatin t'i njoh edhe personalisht mbasi kanë dalë. Janë shumë simpatikë dhe i uroj sa më shumë jetëgjatësi në lidhjen e tyre.
A mund të zgjasin lidhjet që lindin në një realiti show?
Lidhjet që lindin në një realiti shou, konsiderohen shpesh si një strategji që bëhet nga banorët për të arritur simpatinë e publikut. Në momentin që dilet jashtë, kjo gjë konsumohet.
Por nuk është gjithmonë e thënë kjo. Koha e madhe që kalohet aty me një person pranë është mjaft e madhe. Dhe nuk është e lehtë të thuash se ka qene lojë duke bërë vetëm shou. Gjithsesi duhet të besojmë te një histori e vërtetë dashurie midis atyre të dyve.(Marre nga Gazeta Shekulli)
|