|
Shkrimtari shqiptar shpërblehet me 50 mijë euro dhe një vepër skulpturë e Joan Mirosë nga çmimi spanjoll, në emër të Princit Felipe. Shkrimtari shqiptar, Ismail Kadare, (73 vjeç) është vlerësuar dje në Oviedo me çmimin spanjoll "Princi i Asturias", çmim për letërsinë që vlerëson angazhimin shoqëror të veprës së tij. Duke e cilësuar si një nga autorët më të mëdhenj
të letërsisë botërore, organizatorët e çmimit thanë që Kadare "përfaqëson majën e letërsisë shqipe dhe, pa harruar rrënjët e tij, ka kapërcyer kufijtë për t'u ngritur si një zë universal kundër totalitarizmit." Çmimi për vitin 2009, i cili u njoftua menjëherë dje nga agjencitë kryesore evropiane të lajmeve, është një nga tetë çmimet Asturias, i cili jepet çdo vit për Artet, Sportet dhe për Harmoninë.
Juria, e përbërë nga Andrés Amorós, Luis María Anson, J. J. Armas Marcelo, Blanca Berasátegui, Pedro Casals etj., e kryesuar nga Víctor García de la Concha, ka deklaruar se çmimi Princi i Asturias për Letërsinë 2009, i jepet Kadaresë "për bukurinë dhe angazhimin e thellë të krijimtarisë së tij letrare.
Ismaíl Kadare tregon me një gjuhë të përditshme, por plot lirizëm, tragjedinë e tokës së tij, fushë e vazhdueshme betejash. Duke u dhënë jetë miteve të vjetra me fjalë të reja, shpreh të gjithë dhimbjen dhe ngarkesën dramatike të ndërgjegjes.
Angazhimi i tij i ka rrënjët në traditën e madhe letrare të botës helene, të cilën ai e projekton në skenën bashkëkohore si denoncim të çfarëdolloj forme totalitarizmi, në mbrojtje të arsyes."
Në njoftimin që i referohet vendimit të jurisë, thuhet se letërsia e Kadaresë do të tërhiqte vëmendjen për herë të parë gjatë viteve të regjimit shtypës komunist të Enver Hoxhës. Prozator, eseist dhe poet, vepra e tij do të bëhej më me nam ndërkombëtar pas azilit politik në Francë, më 1990-ën, thuhet në njoftimin e "Associated Press".
Ndërsa sipas "Euronews"-it, "në fillim të viteve shtatëdhjetë, ai u zgjodh deputet pa u pyetur, më pas shtrëngohet të aderojë në parti. Por shkrimet e tij tërheqin goditjet e regjimit që ndalon botimin e veprave të tij.
Kështu, ai zgjedh të mërgojë në Francë më 1990-ën."
Ka lindur në Gjirokastër më 1936-ën dhe disa nga romanet e tij më të njohur janë "Gjenerali u ushtrisë së vdekur", "Pallati i ëndrrave", "Koncerti". Kandidat i rregullt për "Nobelin" në letërsi, Kadare fitoi të parin "International Booker Prize" më 2005-ën. Librat e tij janë përkthyer në më shumë se 40 gjuhë.
"Si fëmijë, Kadare dëshmoi Luftën e Dytë Botërore dhe pushtimin e vendit të tij nga Italia fashiste, Gjermania naziste dhe Bashkimi Sovjetik, deri në instalimin e diktaturës së Hoxhës më 1944-ën", - u tha në një shënim biografik me rastin e marrjes së çmimit.
Po aty, ai cilësohet si studiues i shquar i traditave shqiptare dhe i gjërave të çuditshme të madhështisë ballanike, veprat e tij shpesh ngrihen rreth ngjarjeve historike, të cilat e godasin vendin e tij, si ndarja e Shqipërisë nga ish-Bashkimi Sovjetik, kundërshtitë katolike dhe ortodokse dhe prishja ndërmjet Tiranës dhe Pekinit.
Çmimi "Asturias" përfshin një shpërblim 50.000 € dhe një skulpturë nga artisti Joan Miro. Çmimet mbajnë emrin e Princit Felipe të Spanjës, titulli formal i të cilit është Princ i Asturias, një krahinë e Spanjës Veriore. Çmimet "Prínci i Asturias" janë të destinuara, sipas Statuteve të Fondacionit, për "për punën shkencore, teknike, kulturore, sociale dhe humane të realizuar nga persona, grupe pune apo institucione në arenën ndërkombëtare".
Brenda kësaj fryme, çmimi i letërsisë "Prínci i Asturias", "do t'i jepet personit, institucionit, grupit të personave apo institucioneve, puna krijuese apo investiguese e të cilëve përfaqëson një kontribut të rëndësishëm për kulturën universale në fushat e Letërsisë apo Linguistikës ".
Në këtë edicion konkurronin 31 kandidatura nga Shqipëria, Argjentina, Bélgjika, Kanadaja, Kuba, Kili, Shtetet e Bashkuara, Franca, Holanda, Hungaria, Irani, Irlanda, Italia, Japonia, Maqedonia, Meksika, Nigeria, Peruja, Polonia, Portugalia, Mbretëria e Bashkuar, Republika Çeke, Rumania, Uruguai dhe Spanja.
Vitin e kaluar "Asturias"-in për letërsinë e fitoi shkrimtarja kanadeze, Margaret Atwood.
Ceremonia e dorëzimit të çmimit nga duart e Princit Filip i Bourbonit, do të mbahet në vjeshtë.(Marre nga gazeta Shekulli)
|