|
Situatë e re me përfaqësinë e të drejtave të autorëve të muzikës. Nestor Kraja, anëtar i Këshillit Drejtues thotë se është shuar besimi tek "Albautori". "Agjencisë sot i ka mbetur si pronë vetëm një shtëpi, disa tavolina dhe disa kompjuterë."Kur krijohej tre vjet përpara Zyra Shqiptare për mbrojtjen e të Drejtës së Autorit nën tutelën e Ministrisë së Kulturës, u mendua se do të ketë shanse për t'i parë problemet me më rregull. Jo pak u habitën
në atë prezantim me të ndjerin Neshat Tozaj, kur i kërkoi pronarit të një hoteli të njohur në kryeqytet të derdhte vlera disa milionëshe detyrime vjetore për përdorimin e muzikës shqiptare dhe të huaj në emër të ALBAUTOR-it (Agjencia e Artistëve të Veprave Muzikore dhe Audiovizuale).
Deri këtu kishte shkuar puna me të drejtat në Shqipëri? U zgjidh problemi i radiove dhe televizioneve, i shkeljeve flagrante dhe me përfitime të drejtpërdrejta nga përdoruesit abuzivë që të vijë radha e hoteleve dhe moteleve?
Problemi nuk ishte zgjidhur fare. Autorët e Albautorit nuk paguhen. Kjo do të thotë se autori vidhet dy herë: qoftë kur prona artistike i përdoret pa leje, qoftë kur nuk shpërblehet për rastet ku puna i përdoret. Raportet gojore që shtronin gjendjen e Agjencisë në fjalë, ishin shqetësuese për mënyrën se si ishte drejtuar agjencia, për përdorimin e fondeve dhe donacioneve dhe si pasojë, për humbjen e besimit të së paku 100 autorëve.
Në pritje raporteve të ekspertëve kontabël, ata që po merren me një strukturim të ri të Albautorit, thonë se çfarë mund të bëhet.
Kompozitori Nestor Kraja është një nga pesë anëtarët e Këshillit të Administrimit të Agjencisë. Këshilli i formuar në dhjetor 2009 nga Kraja dhe Vasil Tole (nga muzika simfonike), Shpëtim Saraçi dhe Pirro Çako (nga muzika e lehtë) dhe Jorgo Papingji (përfaqësues për autorët e teksteve të këngëve), zgjodhi kryetar Çakon. Kryetari qarkullon çdo vit mes të pestëve.
Kraja tregon më poshtë për zhvillimet në Agjenci dhe për nevojën e një kreu të ri operativ. Është shpallur konkursi për një drejtor të përgjithshëm ekzekutiv. Në shkurt pritet një rezultat.
Këto janë ndryshimet e para që bëhen që prej themelimit të Albautorit më 1992.
Si është gjendja sot në Albautor?
Së pari duhet të them se e vetmja gjë e mirë që gjithë artistët do duhej t'i thoshin Neshat Tozajt, do të ishte për nismën për të krijuar Albautorin. Nga ana tjetër, asgjë e mirë e nuk u erdhi muzikantëve dhe autorëve nga Albautori që prej 1993, me gjithë fondet e mëdha që erdhën në emër të kësaj agjencie.
Albautorit sot i ka mbetur si pronë vetëm një shtëpi, disa tavolina dhe disa kompjuterë.
Janë bërë disa pagesa të mbartura pa asnjë lloj kriteri dhe gjithë fondet e tjera janë shpenzime administrative!
Zbardhja e praktikës së shkuar të Albautorit, mbetet një detyrë parësore. Nëse kjo nuk do të ndodhë, të gjithë do të mendojnë se edhe ne do të ecim po në të njëjtën balturinë. Për këtë qëllim, i kemi dërguar një kërkesë me shkrim Institutit të Ekspertëve të Autorizuar Kontabël në Tiranë, duke i ftuar të kryejnë një kontroll për të paktën 5 vitet e fundit në Albautor. Rezultatet e këtij kontrolli do të zbardhin të vërtetat duke na bërë të gjykojmë drejt edhe për të ardhmen.
Çfarë duhet ndryshuar në politikën e agjencisë?
Së pari statuti. Varianti i vjetër kishte, për mendimin tim, jo vetëm mangësi e defekte, por edhe hartime të qëllimshme për ta trajtuar Albautorin si një biznes privat. Kemi krijuar tashmë një statut të përmirësuar i cili do t'u jepet të gjithë autorëve ta studiojnë dhe të sjellin sugjerimet e tyre.
Në mbledhjen e ardhshme të Asamblesë së Përgjithshme ky statut do të diskutohet dhe do të vendoset.Ky është ndryshimi më i madh që mund dhe duhet bërë së pari në mirëfunksionimin e Albautorit.
Si do të bëhet pagesa e autorëve?
Së pari kemi menduar të krijojmë Fondin e të dhënave, ku përfshihen regjistrimet e të gjitha anëtarëve potencialë (pasi siç konstatojmë disa prej tyre janë larguar e një pjese tjetër i është hequr e drejta e anëtarësisë "pa arsye") dhe e veprave të tyre, me informacione të plota mbi to, të cilat i besohen Albautorit, nga autorët, për mbrojtjen e të drejtave të tyre.
Pa këtë database çdo veprim do të ishte i pabazë, apo siç themi ne - me vesh. Kështu, duke u bazuar në përvojën evropiane kemi hartuar "formularin tip", i cili i detyron të gjithë anëtarët të riregjistrojnë dhe të regjistrojnë të gjitha veprat e tyre të atashuara pranë Albautorit.
Aktualisht, duke ditur se akoma Albautor nuk disponon një aparat monitorimi të shfrytëzimit të veprave, i cili do të siguronte përcaktimin e saktë të masës së pagesës për çdo vepër, mendoj se duhet të procedojmë nëpërmjet një indeksimi, apo vendosjes se një koeficienti për çdo autor dhe për çdo gjini muzikore. Kjo do të vazhdojë deri sa të sigurohen fondet për pajisjen e monitorimit.
I vetmi premtim që mund të bëhet do të ishte ky: Asnjë qindarkë më shumë se 25% e fondeve që do të hyjnë në llogaritë e Albautorit nuk do të mbahen më për shpenzime administrative nga Albautori dhe se 75 % e tyre do të shpërndahet menjëherë për autorët. Se sa do të jetë shuma unë nuk e di, por që, këtë vit do të jetë viti i parë që të gjithë anëtarët do të paguhen sipas numrit dhe peshës së veprave të tyre, për këtë jam i bindur.
Sa autorë janë anëtarë, sa kanë kontratë me të?
Rreth 100 autorë, janë pak nga ç'janë realisht. Më në fund u bëmë bashkë pas 18 vjetësh sepse ishte shuar besimi tek Albautori dhe tani po ia nisim nga zero.
Ç'do të merret nga shfrytëzimi i të drejtës së autorit fondet do t'u jepen artistëve.
Problemet janë edhe jashtë Albautorit. Kuadri ligjor për të drejtën e autorit nuk është në favor. Subjektet nuk paguajnë dhe atëherë kur nuk paguajnë tarifat e gjobës janë të papërfillshme. Duhen akte nënligjore për Ligjin "Për të drejtën e Autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të", që të përcaktojnë kritere.
Si mund të futet në rrjedhë ligjore marrëdhënia me përdoruesit e pronësisë artistike dhe vjelja nga organet kompetente të tarifës për përdorimin e veprave audiovizuale të autorëve vendas dhe të huaj?
Të gjitha televizionet marrin çdo vit nga një licencë të transmetimit televiziv, në njohjen e së cilës nuk përfillet Albautori. Duhet rakorduar puna me Zyrën Shqiptare për të Drejtën e Autorit, me Këshillin Kombëtar të Radio Televizioneve, Ministrinë e Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, Ministrinë e Integrimit, etj.
Mendoj se kjo detyrë është pjesërisht e një menaxheri dhe e një avokati të aftë që do të ketë Albautor së shpejti. Kemi shpallur konkursin për zgjedhjen e Drejtorit të Përgjithshëm Ekzekutiv.
Detyra jonë parësore është t'i tregojmë me fakte anëtarëve, instancave qeveritare si dhe organizmave simotra në botë se jemi nisur me një vizion të ri drejt synimit të një realiteti i cili respekton deri në fund të drejtën e autorit.
Ligji dhe Albautori
Ka një ligj të vitit 2005 "Për të drejtën e Autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me të" që përbën bazën për rregullimin e marrëdhënies së autorësisë dhe të përfitimeve që rrjedhin nga prona intelektuale.
Në këtë ligj, forma ligjore e njohur dhe e përcaktuar për kalimin e të drejtave pasurore, është kontrata. Titullari i të drejtave pasurore të autorit dhe i të drejtave të tjera të lidhura me të, i ushtron këto të drejta vetë, ose nëpërmjet agjencive të administrimit kolektiv.
Agjencitë e administrimit kolektiv gëzojnë status të veçantë të përcaktuar në ligj, ndërkohë që vetëm në bazë të marrëveshjes ose kontratës së lidhur me shkrim ndërmjet tyre dhe autorëve, mund të kalojnë për administrim të drejtën e autorit. Në këtë ligj, tarifa për përdorimin e veprave që ka në administrim agjencia, përcaktohet nga kjo e fundit, duke i deklaruar paraprakisht ato.
Në ligj përcaktohet se çdo subjekt që shfrytëzon autorësi, detyrohet të lidhë kontratë me shkrim me autorët, agjencinë e administrimit kolektiv të të drejtës së autorit, apo me pronarët e veprës. Në këtë kontratë përcaktohen detyrimet e palëve dhe tarifat që do të paguhen, për çdo rast shfrytëzimi në të ardhmen.
Në jo pak raste ka rezultuar se Agjencia "Albautor", nuk ka qenë e qartë kur ka ndërhyrë për mbrojtjen e autorëve, nuk ka qenë e qartë as nëse autorët kanë qenë apo jo anëtarë të kësaj agjencie, dhe nuk dihej nëse agjencia ka qenë e autorizuar apo ka patur një marrëveshje, ose kontrate me shkrim me këta autorë.(Marre nga Gazeta Shekulli)
|