|
Premiera e parë e Teatrit të Operës dhe Baletit është vepra e Puçinit "Manon Lescaut", me regji të Nikolin Gurakuqit. Ndjenja të rrëmbyera, tradhti dhe një fund tragjik për dashurinë, më 14 shkurt. Premiera e parë e Teatrit të Operës për këtë vit, është vepra e kompozitorit italian Xhakomo Puçini, "Manon Lescaut" (1731), bazuar në novelën e Abatit Prévost, "Historia e kavalierit de Grijë dhe Manon Lesko". Për herë të parë kjo vepër është shfaqur në "Teatro Regio" të Turinës, më 1893. Regjisori
Nikolin Gurakuqi, është duke bërë provat e fundit me solistët dhe premiera shfaqet më 14 shkurt.
Ata që kanë vendosur për kalendarin e këtij viti, jo rastësisht kanë caktuar këtë datë. Edhe historia e operës me katër akte, i thotë diçka kësaj dite.
Manoni, një vajzë e re nga një familje e pasur, që josh burra me bukurinë e saj, i fal ndjenja të pastra studentit de Grijë të cilin e takon për herë të parë në një mjedis pijanecësh, qejflinjsh dhe hedonistësh.
Manon tërhiqet pas kësaj jete. Është vetëm një vajzë e re në kërkim të kënaqësive, gjë që nuk mund t'ia ofrojë bankieri Zheron dë Ravjor, mik i mbretit, që i siguron luksin dhe të mirat e jetës.
Gjatë tri akteve, muzika e Puçinit i këndon xhelozisë, dyshimeve, tradhtisë. Akti i fundit vendos një qetësi farsë mes dy dashnorëve. Ata duan të largohen diku ku njerëzit nuk ndahen në të pasur e të varfër, ku të shijojnë qetësisht dashurinë e tyre. Por i pret një fund i trishtë që e çon Manonin drejt vdekjes, kurse De Grijë kthehet në Francë dhe fillon një jetë tjetër, atë të klerikut.
Janë tri soprano që interpretojnë Manonin në katër netët e shfaqjes: Etleva Golemi, Irini Nikolla dhe Shpresa Beka. Në krah të Manonit është djaloshi i dashuruar (de Grijë), në rol tenori italian Lorenzo Decaro. Bankieri interpretohet nga Sidrit Bejleri, dhe vëllai i Manonit, Leskoja është Armando Likaj, bass.
Të tjerë këngëtarë lirikë që ngjiten në skenë janë Erlind Zeraliu, Denis Skuro, Jani Çekixhi, Manjola Konjari, Sofika Kola, Klodiana Laze, Genc Vozga, Roel Llupo, Bledi Hoxha, Sokol Tomorri.
Për skenografinë është duke punuar Genc Shkodrani. Edhe pse javën tjetër është premiera skenografia, deri dje, akoma nuk është instaluar. Kurse, kostumet priten të vijnë edhe kësaj radhe nga Italia.
Mjeshtër koncertues dhe dirigjent orkestre është Gianluca Martinenghi, i pranishëm në disa premiera të Teatrit të Operës. Mjeshtër kori Suzana Turku Kashara, dirigjent kori Dritan Lumshi, dirigjent Edmond Doko.
"Manon Lescaut" shfaqet më 14, 16, 18 dhe 19 shkurt.
Kompozitori italian, Xhakomo Puçini është një nga më të vënët në skenën e TOB-it. Për 150-vjetorin e tij të lindjes, më 7 dhjetor të vitit 2008, u shfaq "Triptiku" (Il Trittico: "Il tabarro", "Suor Angelica", dhe "Gianni Schiçhi") për të cilin u angazhuan pothuajse e gjithë trupa e këngëtarëve të Teatrit, sërish nën drejtimin e regjisorit Nikolin Gurakuqin.
Vihet re një lloj afërsie e regjisorit Gurakuqi, me krijuesit italianë të repertorit operistik. Vitet e fundit ai realizoi "Traviatta", vepra më e njohur e Giuseppe Verdit dhe po nga Verdi operën komedi "Falstaff". (Marre nga Gazeta Shekulli)
|