Drita e Pelinkut
- Details
- Published on Monday, 08 March 2010 12:01
- Written by lypen
Megjithatë ajo është aq afër teatrit si spektatore dhe gati të thotë çfarë i pëlqen dhe çfarë nuk i pëlqen. Aq elegant është diskutimi i saj për teatrin, sa pa frikë mund të thuash se ke përpara një kritike të teatrit që ka hequr dorë nga e shkruara. Kjo është ajo që e dallon Pelinkun ndër shoqe, ndër bashkëmoshatarë po edhe shumë më të rinj se ajo.
Natyra e saj karakterizohet nga një ambiguitet ku inteligjenca dhe talenti janë në distancën ku njëri kontrollon tjetrin dhe kjo është dija që me kalimin e moshës, edhe pse njeriu i ka lënë hyrjet në biblioteka, i bëhet urti.
Ajo nuk e korrupton vëmendjen e tjetrit me energji të jashtme, fjalë të bukura e të mëdha që s'ua njeh vlerën. As bëhet e rëndësishme për sytë ngaqë quhet Drita Pelinku. Ajo e fiton tjetrin për atë që është.
Sjellja njerëzore: nga gjërat e bukura që aktorja na e kujton se koha jonë po e zhduk si gjë pa vlerë, si send që nuk i përket njeriut.
Ajo nuk luan me cingla titujsh që përkëdhelin sedrën e varfër të artistit. Nuk ka vuajtur ndonjëherë ta quajnë nëna e kombit, legjenda e gjallë, meteor, kometë, e jashtëzakonshme etj., që nuk i vënë njerëzit, po padituria e tyre.
Mospërlyerja me këtë gjellë të mjedisit artistik shqiptar, ruajtja e një sensi relativ dhe objektiv në vështrimin e botës, e ka mbajtur të re aktoren. Dhe në ka gjë të vështirë në këtë kopshtin e artit këtu, është të mos i lehësh tjetrit poshtë dritares me gjithë qenë.
"Nuk mund të përgjithësoj përvojën time, por rinia ime ka zgjatur ca si shumë", ka thënë ajo.
Duam të besojmë se ajo që e zgjat rininë dhe i lë rrudhat aty ku janë, nuk është as fati, as situatat e favorshme që ruajnë njeriun të mos e tregojë fytyrën e vërtetë. Duam të besojmë se ndërsa shkruhen këto radhë Drita e ka mbyllur derën e shtëpisë dhe nuk ka frikë të rrijë vetëm, me veten, edhe me dritë fikur.(Marre nga gazeta Shekulli)