|
Me studimin "Surrealizmi socialist" të Gëzim Qendros vjen një vepër më shumë filozofike sesa kritike dhe historike, një udhëtim jo thjesht në historinë 45-vjeçare në vendit tonë socialist, por në krejt historinë e artit që lindi bashkë me lindjen e marksizmit. Gëzim Qendro mbron në Paris doktoraturën me një punim të shënueshëm. Tek matesha të shkruaja për veprën e Gëzim Qendros Le surréalisme socialiste (Surrealizmi
socialist) ndjeja një vështirësi dyfishe: autorin e kam mik dhe deri më sot nuk kisha shkruar ndonjëherë për një kritikë të kritikës. Këto, cilësia e veprës dhe gjuha frëngjishte më bënë që këtë paraqitje ta mbaja në duar disa muaj, sepse kanë kaluar më shumë se 3 muaj qysh se Qendro mbrojti në Universitetin Paris 8 doktoratën me punimin që mban këtë titull.
Sa për vështirësinë e parë, ajo të bën vërtet të ngurrosh, pasi në jetën tonë kulturore, në atë pak anemiken që kemi, është dukuria më e rëndomtë që shoku shkruan për shokun, tarafi për tarafin dhe kështu recensat, revistat, juritë, çmimet ndjekin trajektore bukur të përcaktuara më parë. Mendimi se dhe ti mund të jesh pjesë tarafesh të tilla të ashtuquajtura kulturore të shkakton mornica në trup.
Këtë vështirësi në rastin e Gëzim Qendros e kapërcej duke kujtuar se me të jam njohur relativisht vonë, pra nuk më lidhin kohët e vjetra (veç tërthorazi miq të përbashkët në zonën e Kinostudios), kujtimet ose luftërat e përbashkëta.
Me të jam bërë shok thjesht pse më ka tërhequr intelekti i mprehtë, ndershmëria e punëtorit të mendjes dhe enciklopedia lëvizëse që fsheh nën ecjen e tij të përthyer dhe breroren e flokëve të dendur, pra cilësi që të impresionojnë edhe kur personazhin mund të mos e njohësh fare personalisht.
Vështirësia e dytë m'u tret dalëngadalë pas leximit të veprës që ka shkruar (në vite të tëra kaluar me halle familjare, pagesë qesharake përkthimesh që shkruhen pas mesnate, përjashtimesh nga Akademia e Arteve pikërisht pse i duhej të shkonte në Paris për të shkruar tezën e tij), rreth 500 faqe libër në një frëngjishte sa të kulluar aq dhe impenjuese.
Ky lexim më bëri të kuptoj në gjithë këta muaj që shkuan prej dhjetorit se në të vërtetë nuk kisha në dorë as ndonjë kritikë të thjeshtë arti, as vetëm një histori të realizmit socialist në Shqipëri, por një vepër që ishte më shumë filozofike sesa kritike dhe historike, një udhëtim jo thjesht në historinë 45-vjeçare në vendit tonë socialist, por në krejt historinë e artit që lindi bashkë me lindjen e marksizmit në mes të shekullit 19, dhe pastaj shumë më prapa nëpër historinë e feve monoteiste, sidomos asaj të krishterë.
Sepse prurja më e rëndësishme e veprës së Qendros janë pikërisht paralelet e hequra mes dogmës fetare dhe dogmës marksiste duke u nisur nga reflektimi që kjo e dyta dha te veprat e realizmit socialist në Shqipëri; zbulimi i lidhjeve imanente që ekzistojnë mes të doktrinës së krishterë dhe doktrinës marksiste, sado që njëra propozon parajsën në qiell e tjetra atë mbi dhe, sado që e para, në mishërimin e një regjimi diktatorial e goditi të parën "teorikisht" dhe sidomos fizikisht te përfaqësuesit e saj më rëndë se kudo pikërisht në Shqipëri.
Qasja nuk është e autorit që citon majtas e djathtas dijetarë nga ata që Perëndimi deri më sot ka dhënë shumë, veçanërisht në fushën e studimit të feve dhe të marksizmit, por e eksploratorit i cili në rrugën e tij vetmitare përmidis magazinës së jashtëzakonshme të veprave real-soc që u krijuan në Shqipëri në mbi katër dhjetëvjeçarë, takon kolegë të vet filozofë e estetë, baret me ta si shoku me shokët, dhe ata ose i japin një dorë për të shpjeguar atë që ka ndodhur në Shqipëri, ose ky vetë u sugjeron dijeni të cilat atyre ndoshta u kishin munguar, pasi nuk mund ta njihnin vendin e një mrekullie të tillë, kur Realizmi Socialist mbërriti në kufijtë e imagjinueshëm të metodës.
Ndaj Qendro për mendimin tim modest është nga rastet e rralla të studiuesve shqiptarë që, pa ndërruar nënshtetësinë ose gjuhën, siç kanë bërë autorët më të shquar me prejardhje shqiptare, dhe duke jetuar kryesisht në Shqipëri, lëviz me kaq lehtësi mes kolegëve të tij emërmëdhenj estetë, teologë e filozofë.
Mund të mendohet nga ana tjetër se autori, meqë vepra del në vitin 2010, ka bërë vetëm autopsinë e një metode dhe një kali që vdiq. Kështu që nuk do t'i njiheshin merita të mëdha, sikurse pak i njihen mjekut të morgut në krahasim me kolegët e tij kardiopatë, okulistë etj. Gabim.
E para pse, ne ende jemi në fillim të njohjes objektive me atë që sapo kaluam. Përfytyroni që ende na mungojnë monografi objektive për komunizmin shqiptar ose për Enver Hoxhën.
Neve na mungojnë historitë objektive edhe për shkollat tona! Mirëpo kjo na duhet shumë, pasi qartazi pengon përparimin e shoqërisë sonë, sikurse pengojnë ish-marksistët dhe demagogët në pushtet mirëqeverisjen e Shqipërisë. Kështu që mund të themi pa ngurrim, se Gëzim Qendro sapo ka mbrojtur një punim për historinë dhe kuptimin e artit të realizmit socialist në Shqipëri.
E dyta, autori e ka vendosur objektin e punimit të tij, siç e cekëm, në një kontekst shumë të gjerë, që nis me lindjen e feve monoteiste dhe ndalet sidomos në lindjen e marksizmit dhe vizionit të tij mesianik për parajsën mbi dhe.
E treta dhe kjo nuk është pak e rëndësishme, Qendro e ka ndërtuar veprën e vet në mënyrë shumë tërheqëse, herë-herë si një investigim ku jo rrallë has fjalët misterieux, etonnante, frappante etj, sidomos kur zbulon konvergjencat dhe paralelet midis simboleve fetare dhe atyre komuniste.
Tani mjaft me lavdërime për një vepër të panjohur në vendin tonë.
Që ajo duhet botuar sa më parë, kjo nuk ka asnjë dyshim, madje në një formë të thjeshtuar do ta sugjeroja qysh tani si tekst për shkollat e mesme dhe fakultetet me drejtim arti.
Përpara se të bëhej përkthimi dhe botimi do t'i tregoja autorit disa pasaktësi në fakte dhe të dhëna të ndryshme historike, të kohëve të vjetra ose të sotme, sidoqoftë jo të shumta.
Në mbyllje po citoj vlerësimin e kryetarit të jurisë të universitetit Paris 8, Paul Ian Rinney, pas mbrojtjes së doktoratës "cum laudatium" nga kandidati Gëzim Qendro.
Gjerësia e këtij punimi hulumtues dhe pasuria e prurjes së tij dokumentare ngjallën një interesim të pamohueshëm në sytë e të gjithë anëtarëve të jurisë, që u impresionuan nga gjithë ajo masë referencash të pabotuara të përdorura në të. Një ambicie e tillë i bën krejt të parëndësishme disa vërejtje anësore mbi këtë ose atë pikë të paraqitjes, gjëra që mund të korrigjohen fare lehtë në botimin e kësaj vepre, i cili vlerësohet si shumë i dëshirueshëm.
Përveç rëndësisë dhe vlerës së erudicionit të tij, juria dëshiron gjithashtu të nënvizojë vlerën konceptuale të këtij kërkimi, i cili ka për qëllim të nxjerrë në pah dimensionin paradoksalisht "fetar" të artit të realizmit socialist në një shoqëri marksiste totalitare, e cila pretendonte se e kishte kapërcyer prirjen njerëzore drejt fesë. Gjendemi përballë një përpunimi intelektual të nivelit të lartë, i cili dëshmon aftësitë e pamohueshme intelektuale të kandidatit.
Së fundi, risia dhe origjinaliteti i subjektit të trajtuar e bëjnë këtë tezë një punim të vërtetë referimi në gjirin e historiografisë bashkëkohëse.
Për të gjitha këto arsye juria vendosi njëzëri që t'i japë kandidatit vlerësimin "trés honorable" shoqëruar me urimet tona.(Marre nga gazeta Shekulli)
Tags:
Click to add your tags...,
|